Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi trajnimin me temë: “Garantimi i integritetit të zgjedhjeve, ndjekja, hetimi dhe gjykimi i krimeve zgjedhore”, më datat 10-11 prill 2025, në Tiranë.
Qëllimi i këtij trajnimi është të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve në lidhje me krimet në fushën e zgjedhjeve, duke u mbështetur jo vetëm në standardet dhe praktikën ndërkombëtare por edhe atë vendase për të siguruar një ndjekje, hetim dhe gjykim sa më efektiv të krimeve zgjedhore, nisur nga rëndësia që këto vepra penale kanë në integritetin e proceseve zgjedhore dhe në demokracinë në tërësi të vendit. Disa nga çështjet kryesore që u trajtuan në këtë trajnim lidhen me: sfidat dhe praktikat më të mira në këtë fushë, bashkëpunimi ndër-institucional i nevojshëm për të pasur një hetim sa më efektiv, mbledhja dhe ruajtja e provave, barra e provës, teknikat dhe mjetet e hetimit, disa nga çështjet problematike që duhen pasur në konsideratë në analizimin e raporteve financiare të partive politike nisur nga format kryesore të shkeljeve që evidentohen në këtë fushë, si dhe parimet për një gjykim të paanshëm dhe brenda një kohe të arsyeshme të veprave të tilla.
Aktiviteti trajnues u përshëndet nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, i cili theksoi rëndësinë e trajtimit të tematikave të tilla, duke nënvizuar se këto çështje nuk duhet të trajtohen vetëm në periudha fushatash elektorale. Ai shprehu gjithashtu dëshirën që ky sistem trajnimesh të zgjerohet edhe për fusha të tjera, duke theksuar rëndësinë që problematikat e evidentuara gjatë trajtimeve të tilla, veçanërisht boshllëqet ligjore, të adresohen dhe të pasqyrohen në Kodin e ri Penal.
Krahas ekspertëve me përvojë nga Këshilli i Evropës dhe Shkolla e Magjistraturës, në këtë aktivitet morën pjesë dhe përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që janë përgjegjës për mbikëqyrjen financiare të subjekteve zgjedhore dhe monitorimin e fushatave elektorale për të ndarë eksperiencën e tyre me pjesëmarrësit, si dhe prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij të posaçëm të Republikës së Shqipërisë.